December 5, 2022

Sela vazhdon takimet me ambasadorët për të kërkuar përshpejtimin e reformave në gjyqësor

Në vazhdën e takimeve me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për të biseduar rreth përshpejtimit të reformave në gjyqësor, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela sot ka realizuar takim me Ambasadoren gjermane në Shkup, znj. Anke Holstein.

Me Ambasadoren Holstein, Sela ka biseduar për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë qëndrimet dhe veprimet e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa karshi çështjes së shtetësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Sela i ka dorëzuar Ambasadores kërkesën zyrtare drejtuar Ministrit shtetëror për Evropë në kuadër të Shërbimit të jashtëm federal gjerman, z. Michael Roth, për të mobilizuar një iniciativë gjithëpërfshirëse evropiane për shtetin e së drejtës në Maqedoninë e Veriut.

Republika federale e Gjermanisë ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e krizës politike të vitit 2015 dhe në përpjekjet për të vendosur shtetin e së drejtës në vendin tonë, përfshirë përmes grupit Priebe. Angazhimi i mëtutjeshëm gjerman në forcimin e gjyqësorit për t’u përballur me korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e montuara politike është edhe më jetik tani në prag të hapjes së negociatave për BE.

A.B.