​Konfirmohen rastet me variantin britanik të COVID në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka vlerësuar në mbledhjen e sotme që të qëndrojnë në fuqi të njëjtat masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu në konferencën e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se “kërkohet nga qytetarët të vazhdojnë të kenë një sjellje të kontrolluar, të vijojnë të mbeten të detyrueshme maskat, higjiena dhe distanca”.

Lidhur me numrin e infektimeve Manastirliu tha se “kemi një tendencë të uljes së qëndrueshme të rasteve të infektimeve. Prej datës 1 mars vihet re një trend i uljes së qëndrueshme, por vlerësohet që kemi ende një numër të spitalizimeve dhe fataliteve si rrjedhojë të infektimeve të filluara në rritje prej muajit janar”.

Manastirliu konfirmoi se pas analizave të disa mostrave kanë rezultuar se janë të infektuara me variantin e ri dhe mbajnë një shenjë të mutacionit britanik. I njëjti mutacion është varianti britanik, që është në qarkullim në 70 vende të botës sipas OBSH.

“Dyshimet e arsyeshme që patën ekspertët e ISHP, që në momentin që filloi një rritje e infektimeve dhe transmetueshmërisë në vend është e konfirmuar nga detektimi në laborator që Shqipëria ka në qarkullim edhe variantin e ri britanik të COVID-19”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, nuk është njoftuar për masa të reja dhe se të njëjtat që kanë qenë deri më tani mbesin në fuqi.