40 vjet nga demonstratat e ‘81-shit, Januzaj: Shpërthim kundër shtypjes

40 vjet nga demonstratat e ‘81-shit, Januzaj: Shpërthim kundër shtypjes

Demonstratat e vitit 1981 shënuan një kthesë të madhe për lirinë e Kosovës. Gjithçka kishte filluar në konviktin numër 3, ku disa studentë kishin planifikuar demonstratat, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat nëpërmjet të cilave ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve, më 4 mars të atij viti.

Mbrëmjen e së mërkurës së 9 marsit të vitit 1981 një grup studentësh kishte planifikuar demonstratën e 11 marsit.

40 vjet më pas, flet njëri nga organizatorët e këtyre protestave, Januz Januzaj, që kujton për KosovaPress momentet si u organizuan dhe thotë se demonstratat e atij viti janë një frymë e identitetit kombëtar.

Ai thotë se kryengritjet revolucionare të rinisë, popullit dhe klasës punëtore për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi janë thyerje e rrugës jugosllave, janë nisje për një rrugë çlirimtare.

“Kemi qenë 4 shokë në Fakultetin e Drejtësisë, kemi qenë absolventë para diplomimit dhe, dy shokë të tjerë kanë qenë në Fakultetin Teknik, nuk kemi parë më parë demonstrata. E kemi organizuar me të drejtën tonë se na bëheshin të padrejta jo vetëm në Qendrën Studentore në mensë, por ishim të frymëzuar sepse nuk e ndjenim veten si komb. I kemi organizuar ato demonstrata si shpërthim i pakënaqësisë në mensë, pa e ditur sa do të na bashkëngjiten, si është fryma e përgjithshme, sa pjesëmarrës do të ketë. Ka qenë e mërkurë në mbrëmje, në ora 19:00 në mensë, e kemi parë sesa kanë qenë të frymëzuar studentët, të gjithë gati na janë bashkëngjitur”, kujton ai.

Januzaj kujton se protesta e studentëve të Kosovës, e mbajtur në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve në Prishtinë, vuri në pah sesa të etur ishin të rinjtë shqiptarë për trajtim dinjitoz dhe drejtësi, për çka shton se u motivuan edhe më shumë që të organizohen në demonstrata për të drejtën e tyre. Ai kujton se më 1 dhe 2 prill të atij viti janë mbajtur demonstrata në tërë rrugët e Prishtinës, ku janë përdorur mjete të ndryshme policore, tanke, teksa ka pasur edhe të vrarë.

Burimi: KosovaPress

A.B.