December 10, 2022

Para një viti COVID-19 u shpall pandemi

Më 11 mars të viti të kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin corona si pandemi globale. Në një konferencë për media, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh i shqetësuar për përmasat që virusi SARS-COV-2 kishte marrë.

Deri atë ditë, zyrtarisht ishin regjistruar mbi 118.000 raste me COVID në 115 vende, ndërsa kishin humbur jetën 4291 njerëz.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për përmasat alarmante të përhapjes, seriozitetin e gjendjes dhe nivelin alarmues të paaftësisë në luftën kundër virusit. Ne mendojmë, që në ditët e javët e ardhshme numri mund të rritet”, deklaroi si sot një vit më parë kreu i OBSH-së.

Tedros dha alarmin dhe kërkoi nga të gjitha vendet që të testojnë dhe izolojnë të gjitha rastet në mënyrë që sëmundja të vihej në kontroll.

“Gjeni, izoloni, testoni, trajtoni çdo rast dhe ndiqni çdo gjurmë të tij”, apeloi ai.

Një vit më vonë, numri i njerëzve që vdiqën në të gjithë botën, për shkak të llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) arriti në 2 milionë e 632 mijë e 74, ndërkaq numri i rasteve arriti në 118 milionë e 638 mijë dhe numri i të shëruarve u rrit në 94.228.506.