Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot se për disa javë pritet që të arrijmë në Kosovë vaksinat anti-Covid, teksa ka shtuar se si qeveri ia kanë dal që me sukses te menaxhojnë me pandeminë.
Ai tha se përkundër kritikave që kanë marrë nga oponentët politikë për vaksinat, si qeveri janë angazhuar që në vend të sjellin vetëm vaksina të certifikuara nga BE, dhe jo me prejardhje të dyshimtë, sikurse që bënë vendet e rajonit.
“Informatat që mora nga drejtori i Institutit është se janë duke u bërë përgatitjet. Jemi kritikuar edhe për vaksinën, por ne kemi dashur të sjellim vetëm vaksinë të certifikuar dhe nuk kemi pranuar të hyjmë në lojë që të pranojmë vaksina të dyshimta sikurse bënë vendet e rajonit. Jam i sigurt se do t’ia dalim mbanë bashkë”, u shpreh ai.
Në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19 që po mbahet në objektin e Qeverisë të Kosovës, Hoti tha po ashtu se përkundër vështirësive gjatë ballafaqimit me pandeminë e shkaktuar nga virusi korona, si qeveri ia kanë dalë që të menaxhojnë me sukses pandeminë.
A.B.