Hapja eventuale e Kushtetutës për të përmendur në të edhe popujt joshumicë, sipas partive shqiptare, duhet te shfrytëzohet edhe në drejtim tjetër. Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Remzi Mehmedi shprehet se të drejtat e munguara të shqiptarëve derivojnë pikë se pari nga Kushtetuta ligjet dhe pa dyshim zbatueshmëria e tyre.
“RMV është shtet shumë etnik dhe çështjet e rregullimit të të drejtave të popullsisë janë të ndjeshme dhe prodhojnë kriza edhe politike edhe institucionale me çka vendi shënon ngecje në shumë drejtime. Çështja gjuhës shqipe që në Kushtetutë quhet ‘gjuha e 20 përqindëshit’ është njëra nga pikat kyçe që dëshmon se shqiptarët në RMV nuk trajtohen si palë të barabarta, prandaj ne si Aleancë për Shqiptarët prej themelimit deri ne sot njërën nga kauzat kryesore politike kemi ndryshimin e Kushtetutës dhe trajtimin e gjuhës shqipe si gjuhë shqipe e barabartë me gjuhen maqedonase dhe jo si gjuha qe e flasin 20 për qind e popullsisë. Në ndryshimet e kaluara kushtetuese me insistimin tonë arritëm që në preambulë shqiptarët të radhiten si shqiptarë menjëherë pas popullit maqedonas dhe jo si ishte deri me tash ku përmendej populli maqedonas, si dhe të tjerë. Do të vazhdojmë të jemi konzistent ashtu si edhe deri më tani që një herë e përgjithmonë Kushtetuta e RMV të jetë pasqyrë e realitetit etnik të vendit”, ka deklaruar për KOHA, Remzi Mehmedi, nënkryetarë i Aleancës për Shqiptarët.
Burimi: Koha
A.B.