Sejdini: Duka ma uroi i pari, Pandevit i uroj shëndet

Muamed Sejdini do të vazhdojë të jetë president i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut. Në asamblenë zgjedhore të zhvilluar këtë të diel në Shkup, Sejdini mori 52 vota pro dhe asnjë kundër, duke rifituar besimin e delegatëve për të patur dhe një mandate të plotë në krye të FFM.
I sapo-konfirmuar si drejtuesi më i lartë i futbollit në Maqedoninë e Veriut, Sejdini ishte i ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” në Supersport, ku tregoi emocionet e rizgjedhjes dhe komentoi deklaratat e Goran Pandev. Sa emocionuese ka qenë zgjedhja në krye të Federatës së Futbollit?
Është hera e dytë që zgjidhem, pasi edhe herën e parë fitova me votë, por atëherë isha me mandat të shkurtuar 2-vjeçar. Sot u votova përsëri dhe jam shumë i lumtur, pasi delegatët vlerësuan punën e bërë nga unë gjatë kësaj periudhe dhe mora një votë unanime.
Si e keni përjetuar periudhën që i parapriu procesit zgjedhor?
Është një post që të gjithë e dëshirojnë këtë të kreut të FFM-së, ndaj duhej një luftë e fortë për të bindur të gjithë delegatët të më votonin.  Kemi disa projekte që i kemi nisur që në 2020-ën dhe do të provojmë t’i përfundojmë. Më pas do të shohim si të bëjmë sa më shumë gjëra në ndihmë të futbollit. Sa i kënaqur jeni me vlerësimin nga kreu i FIFA-s, Gianni Infantino?
Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua, të dëgjoja fjalët më të mira nga goja e drejtuesit kryesor të futbollit në botë. Falënderoj presidentin Infantino për mesazhin dhe për mbështetjen. Na zbulo pak mesazhin e Armando Dukës…
Duka ishte i pari që më uroi dhe mezi priste që të përfundonte vendimi për të më telefonuar. Më ka uruar edhe Ceferin, ashtu si edhe presidenti i Kosovës, Ademi.
A mund të na jepni një koment për deklaratat e kapitenit të përfaqësueses, Goran Pandev?
Ai është vetëm një lojtar i madh dhe në cilësinë e kryetarit të Federatës së Futbollit, do t’i uroja vetëm shëndet, për të luajtur sa më mirë dhe për të gëzuar qytetarët këtu në vend.