Zjarri që shpërtheu në një banesë në Gostivar ka qenë fatal për fëmijën 7 vjeçar, ndërsa nëna e tij ka marrë lëndime dhe asfiksim. Sipas hetimeve të para të Prokurorisë së Gostivarit fëmija 7 vjeçar nuk ka mundur t’i mbijetojë flakëve pasi në momentin e shpërthimit të zjarrit ka qenë i lidhur me zinxhir në këmbë.
“Informatat e para të ekipit mjekësor që ishte në vendin e ngjarjes, thonë se fëmija që ka humbur jetën, gjatë kohës së shpërthimit të zjarrit, ka qenë i lidhur me zinxhir te këmbët. Prokuroria po merr gjitha masat për konfirmimin e ekzistimit eventual të përgjegjësisë penale. Është urdhëruar obduksion i trupit të pa jetë të fëmijës, dhe po bisedohet me dëshmitarët e ngjarjes. Pas urdhrit të prokurorit publik, po punohet në mbledhjen e fakteve në vendin e ngjarjes, që do ndihmojnë për gjetjen e shkakut të zjarrit”, thuhet në njoftimin në njoftimin e Prokurorisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën e Vardarit në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa të parët tymin e kanë parë kalimtarët e rastit të cilët kanë njoftuar zjarrfikësit. Sipas të dhënave të Sektorit të Punëve të Brendshme, në banesën që është përfshirë nga flakët, kanë jetuar gjashtë anëtarë, por në momentin e shpërthimit të zjarrit, brenda kanë qenë vetëm fëmija dhe nëna e tij./Alsat
A.B.