“Të gjitha kontradiktat midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen. Brezat e ardhshëm nuk do të na falin që kemi humbur këtë mundësi të madhe”. Kështu i ka thënë kryeministri bullgar, Bojko Borisov, ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë një takimi që zhvilluan të martën në aeroportin e Sofjes.
Agjencia bullgare e lajmeve BGNES, ka njoftuar se kreu i Qeverisë bullgare ka qenë kategorik se “rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për në Bashkimin Evropian nuk mund të vonohet, kështu që dallimet mes Shkupit dhe Sofjes duhet të zgjidhen”.
“Pra, edhe ju edhe ne duhet të përgatitemi për negociata – për mirëkuptim, jo për emocione, në mënyrë që fqinjët tanë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo çështje është e një rëndësie gjeostrategjike për Bullgarinë si ne, ashtu edhe ju duhet të gjejmë vullnet politik”, i ka thënë Borisov shefit të diplomacisë maqedonas.
“Heronjtë që vdiqën për liri nuk mund të jenë një temë për të na ndarë sepse ëndrra e tyre më e madhe ishte që të ishin së bashku dhe për këtë ata dhanë jetën e tyre. Pra, ata duhet të jenë një urë miqësie, jo një ndarje”, citohet të ketë thënë Borisov./Evropa e Lirë
A.B