December 9, 2022

Fatmir Limani do të kandidojë si i pavarur për Kërçovën

Fatmir Limani ka konfirmuar lajmin e gazetës LAJM se do të kandidohet si kandidat i pavarur për komunën e Kërçovës në zgjedhjet lokale të tetorit. Gjatë ditës së sotme se është bërë dorëheqja e Fatmir Limanit, zyrtar i BDI-së nga Kërçova. Limani është ish pjesëtar i UÇK-së dhe ish i burgosur në rastin “bombashët e Kërçovës”. Deri para ca kohe ishte zëvendës drejtor në kompaninë shtetërore ELEM.
Burime të besueshme brenda BDI-së, paraditen e sotme i thanë gazetës Lajm, se Limani tani e tutje do të veprojë si i pavarur. Si i tillë ai pritet të garojë edhe në zgjedhjet lokale si kandidat për kryetar të komunës së Kërçovës, ku BDI sërish do kandidojë me kryetarin aktual, Fatmir Dehari. Këtë informacion Limani e ka konfirmuar pak çaste më parë.
Fatmir Limani është i biri i atdhetarit Beqir Limani, e njëkohësisht edhe familjar i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Ai veçmë ka paralajmëruar dorëheqjen, duke shkruar se “prej nesër rikthehet te veprimtaria e pavarur”./Gazeta LAJM

A.B.