“Regjistrimi”, Snopçe: Maqedonasit nuk merren me numrin e tyre, brengë e kanë numrin e shqiptarëve

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, deklaroi në “Rruga drejtë…” se një numër i madh i diasporës heziton të regjistrohet nga fakti se kanë humbur besimin në politikat e BDI-së dhe Entit Shtetëror të Statistikave, i cili institucion sipas tij historikisht ka qenë diskriminues për shqiptarët. Snopçe gjithashtu theksoi se pala maqedonase nuk merret me numrin e tyre, por brengë kanë numrin e shqiptarëve, gjegjësisht 20 për qindëshin.

“Sipas analizave tona se pse njerëzit janë rezistues për tu regjistruar, janë tre faktor kyç. Faktori i parë është, mosbesimi ndaj Entit Shtetëror të Statistikave, faktori i dytë është mosbesimi ndaj partisë në pushtet BDI-së dhe tek faktori i tretë është problemi me softuerin…Natyrisht që ne themi se ky proces nuk ka lidhje me BDI-në, po ka lidhje me interesin kombëtare shqiptarë, që ne të regjistrohemi të gjithë, ti japim ato të dhëna dhe ti demaskojmë… sepse pala maqedonase asnjëherë nuk merret me numrin e maqedonasve në këtë shtet, por struktura ekstreme të tyre merren çdoherë me numrin e shqiptarëve. Pra brengën e kanë te numri i shqiptarëve, dikush thotë nuk janë 20 për qind…Unë ju bëj thirrje mërgimtarëve, dua t’i inkurajoj që të regjistrohen ”, tha Halil Snopçe, deputet i ASH-së./Alsat

A.B.