BE i reagon Vuçiqit për provokimet, por jo edhe institucionet e Kosovës

Postimi i një fotografie ku paraqitet harta e Kosovës me flamurin e Serbisë nga presidenti serb, Aleksandr Vuçiq po shihet si një mungesë vullneti për ecur tutje në dialogun Kosovë- Serbi.

Njohës të çështjeve ndërkombëtare dhe të sigurisë vlerësojnë se kjo është një lojë e Serbisë për t’i bërë shantazh bashkësisë ndërkombëtare për përfitime politike dhe materiale.

E derisa ky postimi i kësaj fotografie ka nxitur reagime të shumta në vend, ishin institucionet shtetërore ato që nuk reaguan fare. As Zyra e Bashkimit Evropian nuk reagoi me kohë, porse këta të fundit ndryshe nga Qeveria e Kosovës, kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë në një përgjigje me shkrim se Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe punës për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“BE-ja gjithmonë u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, në Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë një atmosferë të favorshme për pajtim, stabilitet rajonal e bashkëpunim, dhe jo e kundërta. Siç kemi thënë shumë herë të tjera gjatë viteve, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe punës për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, deklaron ai./KosovaPress

A.B.