Përfitimet e lidhura me vaksinën antiCOVID-19 AstraZeneca i tejkalojnë rreziqet, vlerësuan sot ekspertët nga OBSH, duke konfirmuar përfundimin e dhënë një ditë më parë nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).
“Vaksina AstraZeneca vazhdon të ketë një profil pozitiv të rrezik-përfitimit, me potencial të madh për të parandaluar infeksionet dhe për të zvogëluar vdekjet globalisht”, tha Komiteti Global Këshillues për Sigurinë e Vaksinave (GACVS) i OBSH, në një njoftim për shtyp.
Ekspertët e GACVS u takuan virtualisht për të shqyrtuar të dhënat për mpiksjen e gjakut dhe numër i ulët i trombociteve pas vaksinimit me vaksinën AstraZeneca, tek disa persona.
Pasi shqyrtuan të dhënat e provave klinike dhe raportet e sigurisë së vaksinave, të bazuara në të dhëna nga Europa, Britania e Madhe, India dhe Vigibase, ata arritën në përfundimin se “të dhënat e disponueshme nuk sugjerojnë një rritje të përgjithshme të çrregullimeve të gjakderdhjes pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19”./ATSH
A.B.