Kurti nuk e ka prioritet dialogun: Duhet të përgatitemi mirë, nuk mund të kemi dështim të radhës

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti thotë se procesi i dialogut nuk është prioritet i tij. Për më tepër, ai thekson se ky proces është zvarritur, meqë gjithmonë është nxituar. Ai në ditën kur po konstituohet kuvendi, në një tryezë diskutimi ka thënë se nuk është për dialog me regjisor dhe skenarist. Përkundër paralajmërimit të Bashkimit Evropian për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka deklaruar se nuk mund të ketë asociacion një-etnikësh.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka shumë çështje që duhet të diskutojë me Serbinë. Ai theksoi se nuk mund të ulet në tavolinë duke harruar e për të rrafshuar historinë. Në tryezën e organizuar Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, me temën “Si tutje me Dialogun”, Kurti tha se Serbia duhet të ia kthejë Kosovës rreth 3 miliardë euro borxhe. Veç tjerash edhe të ofrojë dëmshpërblim për pronat e dëmtuara, kompensim për vuajtjet e luftës dhe po ashtu të kërkoj falje. Ai ka përmendur katër parimet për dialogun e ardhshëm.

“E para duhet të pranohet realiteti, e dyta duhet pranohet e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe e katërta duhet të përfitojnë qytetarët. Duhet të pranohet realiteti sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, para shpalljes. Po të ishte kjo e mundur edhe ne do të kërkonim shumë. Pra, pavarësia ishte kompromis, për më tepër se kaq, pavarësia nuk është shpallur vitin e kaluar, por 13 vjetësh”, ka thënë ai./KosovaPress

A.B.