Kasami: Opozita nuk shqetësohet për shtetësinë, përfiton pikë të ulëta politike

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami akuzoi opozitën shqiptare, Koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, se në mungesë të ideve dhe propozimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve, përpiqet të fitojë pikë politike përmes bllokimit të Kuvendit me Ligjin për shtetësinë. Ai tha se partnerët e koalicionit po konsultohen për të siguruar të gjitha informacionet për numrin e saktë të personave pa shtetësi, arsyen pse nuk e kanë marrë shtetësi dhe kategorizimin e asaj se çfarë hapash duhet të meren për t’u mundësuar gjithë qytetarëve të marrin shtetësinë.

“Të gjithë partnerët e kolicionit në këtë qeveri pajtohemi dhe jemi duke punuar intensivisht për gjentjen e një zgjidhje praktike që do të jetë në përputhje të plotë me konventën e Kombeve të Bashkuara për reduktimin e numrit të qytetarëve pa shtetësi dhe me konventën evropiane. Duke mundësuar kështu barazi për të gjithë qytetarët por edhe për të dëshmuar se beteja politike e opozitës nuk është për të zgjidhur këtë problem, por për të bllokuar punën e shumicës qeversëse në drejtim të sigurimit të një jete më të mirë, në mbështetjen ekonomike nga paketa ekonomike e masave të propotuara nga Qeveria”deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Ai më tej shtoi: “Bllokada nga opozita shqiptare, nuk ka të bëjë me zgjidhjen e problemit me shtetësinë e personave që nuk e kanë atë, por qëllimi i tyre është vetëm përfitimi i pikëve të ulëta politike”.

A.B.