Kosova së shpejti me presidente, seanca pritet të mbahet para 10 prillit?

Një ditë më parë kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth çështjes së presidentit, ndërsa kandidatja për këtë pozitë, Vjosa Osmani lidhur me këtë është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet sapo të bëhet zëvendësimi i deputetëve që tashmë janë bërë ministra, e ky proces tashmë është kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe me mbetet vetëm betimi i tyre në Kuvend, në seancën e radhës.

“Posa të bëhet zëvendësimi i deputetëve që janë bërë ministra, do të mund të thërrasim një seancë të radhës, në të cilën padyshim sigurt atë që e votoj populli me 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me votat e nevojshme në Kuvend”, ka thënë Kurti.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, është deklaruar rreth çështjes së presidentit.  Kosnett tha se SHBA-ja nuk është duke kërkuar që opozita të votojë ndonjë individë të caktuar për president.

“Më lejoni të jem i qartë. Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht e as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”, theksoi ambasadori.

Ndryshe, javë më parë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje në një intervistë për Telegrafin pati thënë se Qeveria Kurti 2 do të formohet deri më datë 25 mars, e sipas tij do t’i merrte më së paku 64 vota.

Kurse për zgjedhjen e Presidentit të vendit ai u shpreh se do të ndodhë menjëherë pas formimit të Qeverisë, saktësisht sipas tij deri më datë 10 prill./Top Channel

A.B.