December 6, 2022

Mashtronin duke mbledhur fonde humanitare, arrestohen në Kosovë dy shtetas të Maqedonisë

Dy persona të dyshuar, shtetas të Republikës së Maqedonisë Veriore janë arrestuar pasi një ditë më parë, duke vënë në lajthim ankuesin, ia kanë marrë një shumë të konsiderueshme të parave, duke e mashtruar kinse janë duke mbledhur fonde humanitare.

Sipas Policisë së Kosovës, mbrëmë rreth orës 18:00 nga hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri, në bashkëpunim me zyrtarë policorë në pikën kufitare ‘Hani i Elezit’ kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘mashtrim’, të raportuar gjatë ditës së djeshme në Vushtrri.

“Mbi bazën e të dhënave të pranuara nga ankuesi janë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore, ku vetëm disa orë pas raportimit të rastit janë arrestuar të dyshuarit. Pas procedurave të intervistimit, nga ana e prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘mashtrim’, thuhet në njoftim.

A.B.