​Kosovë, Lutfi Haziri tregon qëndrimin e LDK-së për presidentin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lutfi Haziri, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, tha se LDK-ja do të evitojë çdo lloj pengese në zgjedhjen e presidentit të vendit.

Haziri bëri të ditur se nesër do të takohen edhe me Grupin Parlamentar të LDK-së me të cilët do të diskutojnë që pjesëmarrja në seancë kur të zgjidhet presidenti të jetë në frymë kushtetuese.

“Tashmë dihet qe karshi qeverisjes së Vetëvendosjes ne do të jemi opozitë aktive, ndërsa në ndërtimin e institucionit të presidentit LDK do të evitojë çdo lloj obstruksioni institucional, çdo lloj pengese me rolin e vet konstruktiv, me rolin e vet pozitiv në ndërtim dhe në funksion të stabilitetit në mënyrë që të përmbyllet cikli i zgjedhjeve dhe funksionimit të institucioneve dhe mandej të ecet përpara me agjendë politike. Në rrafshin tjetër kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër do të takohen me grupin e deputetëve, ne do të vazhdojmë diskutimet dhe debatin me deputetët në mënyrë që pjesëmarrja në seancë dhe përfaqësimi i LDK-së në atë seancë të jetë në frymë kushtetuese duke evituar çdo lloj obstruksioni eventual institucional dhe duke krijuar frymë dhe angazhim politik për një stabilitet në këtë vend”, tha ai./KosovaPress

A.B.