BDI mbështetë marrëveshjen Zaev-Mickoski për prolongim të regjistrimit

Bashkimi Demokratik për Integrim mbështetë marrëveshjen mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit për prolongim të regjistrimit.

Nga kjo parti thonë se propozimi për prolongim të regjistrimit ndihmon procesin dhe jep mundësi shtesë për t’u regjistruar të gjithë mërgimtarët. Gjithashtu sipas BDI-së, vendimi për prolongim të regjistrimit është i duhur dhe i drejtë.

“Duke pasur parasysh bojkotin e opozitës, kontestimin e procesit nga ana e tyre, bllokadën në Kuvend, nisjen e vaksinimit dhe imunizimit, si dhe shëndetin publik, shtyrja e regjistrimit rezident nga muaji prill në muajin shtator të këtij viti paraqet vendim të duhur dhe të drejtë. Reagimet kontradiktore të opozitës shqiptare flasin për mungesën e konsistencës dhe sinqeritetit të tyre ndaj qytetarëve. Opozita shqiptare (ASH-AA) po manipulon me ndjenjat e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mërgimtarëve në tentativë të përfitimeve të vogla të politikës ditore”, thonë nga BDI.

Nga atje rikujtojnë që pikërisht më herët ishte opozita shqiptare që dëshironte prolongim të regjistrimit, ndërsa tani kanë qëndrim diametralisht të kundërt.

“Përmes disa amendamenteve të propozuara nga grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kërkuan që procesi i regjistrimit të popullsisë të prolongohet për një afat të caktuar edhe atë në amendament shkruhet nga muaji mars në maj, duke e ndërlidhur të njëjtën me krizën shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19″, komunikojnë nga BDI.

A.B.