September 21, 2021

“Kaçaniçki pat” emërohet në rruga Hasan Prishtina

Prej sot rruga Jadranska Magistralla e njohur edhe si Kaçaniçki Pat, riemërtohet në rruga Hasan Prishtina! Në seancën e gjashtëdhjetëeshtatë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, u soll vendimi për përcaktimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave në territorin e Qytetit të Shkupit.

Ish kreu i Çairit dhe nënkryetar i BDI-së Izet Mexhiti shkruan në Facebook se me këtë vendim, rrugë të ndryshme të komunave të Qytetit të Shkupit marrin emra të figurave dhe datave të rëndësishme kombëtare shqiptare, siç janë:
Jadranska Magistrala apo Kaçaniçki pat riemërtohet në Hasan Prishtina;
Vtora Makedonska Brigada riemërtohet në Adem Demaçi;
Hristijan Todorovski Karposh riemërtohet në Nënë Tereza;
Makedonsko Kosovska Brigada riemërtohet në Mid’hat Frashëri;
Në Komunën e Kisella Vodës rruga Justiniani 1 riemërtohet në Azem Morana;
Sheshi në Saraj merr emrin Isa Boletini;
Ura në Saraj merr emrin 22 Nëntori;
Në Qendër rruga Partizanska nr 5 merr emrin Bajram Miftari;
Në Butel rruga Dushko Popovski riemërtohet në Hafëz Ali Korça,
Në Komunën e Gazi Babës në Hasanbeg rruga Alija Avdoviq riemërtohet në Ymer Prizreni, dhe shumë të tjera.

“Parimin në të cilin kemi vendosur theks ishte pasqyrimi i realitetit multietnik në Qytetin e Shkupit, me fokus të veçantë në elementin kombëtar shqiptar në Shkup. Duhet potencuar se riemërtimi i rrugëve, shesheve dhe urave tjera në Qytetin e Shkupit nuk ka përfunduar me kaq, por edhe shumë emra tjerë të figurave tona kombëtare, në të ardhmen do të bëhen pjesë e këtij procesi fisnik. Faleminderim për këshilltarët e BDI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, z. Besnik Ajeti, znj. Halide Palloshi, znj. Nora Muamedi Zekiri, ish zv. Kryetarin e Qytetit të Shkupit të ndjerin z. Enver Maliqi, zv. sekretarin e Qytetit të Shkupit z. Aziz Maksuti, Drejtorin e ITSHKSH z. Skender Asani, si dhe kryetarët e komunave Çair dhe Saraj z. Visar Ganiu dhe z. Blerim Bexheti dhe stafet e tyre, për gjithë kontributin e dhënë”, shkruan Mexhiti.

A.B.