Propozim/ndryshimet e nevojshme zgjedhore për sigurimin e terminaleve për shenjat e gishtave gjatë votimit tashmë kanë hyrë në procedurë parlamentare. Ministria e Drejtësisë prej kohësh ka punuar në detektimin e ndryshimeve të nevojshme edhe në bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Nga KSHZ-ja nuk bëjnë të ditura detajet. Presin miratimin e këtyre ndryshime, për të filluar procedurën e furnizimit publik të pajisjeve për të ashtuquajturin votim biometrik.
Sapo ligji të publikohet në Gazetën Zyrtare menjëherë do ta fillojmë procedurën. Tani në këtë moment nuk dihen detajet por publiku në kohë do të informohet për të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrim. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për detyrim ligjor, do t’i mundësojmë të gjitha shërbimet që ta zbatojmë atë. Koha është e shkurtër por duke marrë parasysh të gjitha rrethanat që kanë ndodhur, besoj se do të arrijmë ta zbatojmë- deklaroi Aleksadar Dashtevski, Kryetar i KSHZ-së.
Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq deklaroi se ky dikaster ka përgatitur edhe ndryshime të tjera për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së në Kodin zgjedhor. Këto propozime të ministrisë duhet të shqyrtohen dhe të marrin pëlqimin e partive politike. Po në lidhje me Kodin zgjedhor, dhe me ndryshimet më madhore që paralajmëruan dy liderët Zaev dhe Mickoski, do të vijojnë edhe negociatat në nivel politik.
Ekziston nivel i tretë i negociatave që akoma nuk ka filluar rreth rekomandimeve të OSBE-ODHR-së dhe ky është diskutimi politik rreth listave të hapura, ndryshimet eventuale në mënyrën e zbatimit të zgjedhjeve lokale por edhe modelet për zgjedhjet parlamentare. Ky diskutim tek tash do të fillojë dhe nevojitet pajtim mes të gjitha partive politike, të paktën prej atyre që kanë anëtarë në KSHZ, siç ka qenë deri tani- pohoi Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.
Dy liderët Zaev dhe Mickoski në takimin e fundit inkurajuan grupet e punës të partive politike të punojnë për zbatimin e një njësie zgjedhore, listave të hapura të kandidatëve për këshilltarë dhe zgjedhjen e kryetarëve të komunave me një rreth zgjedhore në rast të arritjes së censusit prej 30%./Alsat
A.B.