Nuk është caktuar ende seancë plenare për fillimin e procedurës për shtyrjen e regjistrimit dhe nuk dihet se kur shtyrja mund të miratohet. Regjistrimi sipas ligjit që është në fuqi, duhet të fillojë nga nesër. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se kjo ngatërresë me afatet është pasojë e mungesës së tij në takimin e liderëve. Sipas kryeparlamentarit, procedura për shfuqizimin e ligjit sipas Rregullores mund të zgjasë edhe disa ditë.
“Ata që ishin bashkëbisedues në takimet politike thanë se kanë bërë ndoshta lëshim që nuk ka qenë prezent kryetari i parlamentit. Se të bësh hanin pa hanxhi, kështu do të vish në mospërputhje me kohën. As unë si kryetar Kuvendi dhe as si institucion Parlament nuk mund të udhëhiqem nga vendimet politike që i sjellin qoftë brenda dhe qoftë jashtë. Sepse puna e Parlamentit bazohet në afatet që i parasheh Rregullorja. Nuk mundem të parashikoj dhe të them a mundet të miratohet ligji sot. Afatet nuk ma lejojnë ta them”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
A.B.