December 1, 2022

Diaspora nuk evidentohet, REGJISTROHET! Reagime të ashpra nga partitë politike shqiptare

Përfaqësuesit e partive shqiptare, si ato në pushtet, dhe në opozitë kanë dalë kundër liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit ku thotë se, “diaspora evidentohet, dhe nuk regjistrohet”.

Se diaspora regjistrohet dhe do të hyjë në përqindjen e përgjithshme të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, për TV21 e thonë pjesëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes Besa.

Bujar Osmani ka cituar metodologjinë dhe ligjin për regjistrim, dhe ka bërë të ditur, se “diaspora do të llogaritet në statistikat lokale dhe republikane”.

Zëvendësdrejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami ndërkohë deklaratën e sheh si “përpjekje për demotivim të diasporës shqiptare për t’u vetëregjistruar”. Por, ai është i bindur, se diaspora do të regjistrohet për “t’i përdëftuar Mickoskit, se jemi gjallë, jemi këtu”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi deklaratën e sheh si “propagandë e imtë e politikës ditore për përfitime të çastit”.

Ndërkohë, opozita në reagimin e tyre kanë zgjedhur t’i kujtojnë publikut edhe deklaratat e kryeministrit Zoran Zaev, i cili pas takimit me Mickoskin, tha: “me kroskontrollen e të dhënave do të shlyhen nga regjistri të gjithë mërgimtarët që nuk kanë shtetësi”. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe hedh dyshime, se Zaev dhe Mickoski, “mbase kanë edhe ndonjë marrëveshje tjetër për të ndërruar përsëri Ligjin përpara shtatorit, për të cilin ata si opozitë i kanë hedhur dyshimet e tyre”.

Por, deklarata e Mickoskit është një argument për deputetin e BDI-së, Izet Mexhitin, që “të votojë kundër shtyrjes së regjistrimit”.

Ka reaguar edhe Lëvizja BESA. Ministri nga radhët e saj, Arjanit Hoxha tha se, “një gjë është e sigurt, se në numrin e përgjithshëm të popullsisë do numërohet çdo qytetar, qoftë në vend apo në diasporë”.