Pse Muhammedi a.s asnjëherë nuk e ka thirrur ezanin?Një fakt i rëndësishëm që duhet ta dimë është edhe ajo se i Dërguari i Allahut s.a.v.s asnjëherë nuk e ka thirrur ezanin. Dijetarët islam përmendin disa arsyeje dhe urtësi për një vendim të tillë të Muhamedit a.s.Disa dijetarë thonë se nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s do ta thirrte ezanin atëherë të gjithë ata që nuk do t’i përgjigjeshin do të dilnin prej feje, sepse nuk iu përgjigjën thirrjes së të Dërguarit të Allahut.
Disa dijetarë të tjerë përmendin arsyen se i Dërguari i Allahut ka qenë edhe da’i (thirrës) dhe nuk ka qenë mirë të dëshmojë për veten, ndërsa disa të tjerë thonë se në ezan përmenden fjalët: “Eshhedu enne Muhameden resulullah”, andaj nuk është caktuar që ai ta thirr ezanin. Megjithatë, sa i përket këtij qëndrimi, nuk është i drejtë sepse Muhamedi alejhi selam në hutbet e tij ka thënë shehadetin.
Shevkani në librin e tij “Nejlul Evtar” thotë se mos thirrja e ezanit nga ana e Muhamedit a.s. dhe katër halifëve të drejtë si dhe dalja e tyre imamë tregon se imameti është më i vlefshëm se thirrja e ezanit.
Aisheja r.a thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka pasur tre muezina: Bilallin, Ibn Mektumin i cili ka qenë i verbër dhe Ebu Mehzurin….Bilalli r.a më shumti ka bërë muezin natën, ndërsa dy të tjerët në kohët të tjera të namazit.Ibn Kajjimi në Zadul Mead, përmend se i Dërguari i Allahut ka pasur katër muezinë. Dy në Medine: Bilallin dhe ibn Mektumin r.a. Në Kuba Sa’d El Kuredh. ndërsa në Mekë Ebu Mehzure, emri i të cilit ishte Evs b. Mugire El – Xhehmi r.a.