December 6, 2022

Rama: Do ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan

Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të martë nga Kolonja se qeveria e tij do ta bëjë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm. Rama u shpreh se kjo gjë është plotësisht e mundur falë investimeve që po bëhen. Kreu i qeverisë renditi projektet për portet e aeroportet dhe tha se kjo do t’i japë tjetër ritëm turizmit në vend.

“Ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm. Është plotësisht e mundur kur sot i kemi ngritur të gjitha bazat. Do e bëjmë kampione të Ballkanit në turizëm me një fazë tjetër investimesh të mëdha që nga investimi në portin e Durrësit, portin e Vlorës e Sarandës. Tek aeroportet, aeroporti i Vlorës për pak kohë do fillojë nga puna ndërkohë që po finalizohet kontrata me kompaninë fituese. Do të vazhdojmë të stimulojmë çlirimin e potencialeve që ka vendi ynë, që ka dhe kjo trevë këtu.  Shqipëria kampione e turizmit në Ballkan nuk është utopi, është kaq e dukshme po kaq e prekshme sa ai dielli që unë shikoj tani, por na duhet shumë punë, na duhen shumë përpjekje”, tha Rama./tvklan.al

A.B.