Shaqiri: Avancojmë në sigurinë kibernetike

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri dekaroi se vendi shënon progres të madh në sferën e sigurisë kibernetike.

“Sipas indeksit nacional për siguri kibernetike të cilin e shpall Akademia estoneze për e-qeverisje, Republika e Maqedonisë së Veriut në dy vitet e fundit shënon një ngjitje të dukshme prej 20 vendesh. Ky indeks e mat nivelin e sigurisë kibernetike në secilin shtet, gatishmërinë për luftë ndaj sulmeve dhe krimeve kibernetike dhe identifikon politikat kryesore në të cilat duhet vepruar për përmirësim të gjendjes”, komunikon Shaqiri.

Ndjekja dhe matja e vendeve bëhet në bazë të këtyre indikatorëve: zhvillim i politikave për siguri kibernetike, analizë dhe informim për kërcënimet kibernetike, arsimim dhe zhvillim profesional, kontribut ndaj sigurisë kibernetike globale; mbrojtje e vazhdueshme e shërbimeve digjitale, mbrojtje të shërbimeve bazë, e-identifikim dhe shërbime të besueshme, ruajtje e të dhënave personale; përgjigje ndaj incidenteve kibernetike, menaxhim me krizat kibernetike, lufta kundër krimit kibernetik, operacione kibernetike lufte.

“Në këtë kontekst, vendi ynë në vitet e mëparshme gjendej mes vendit të 70-ë dhe 60-ë në ranglistën globale, dy raportet e fundit të këtij viti tregojnë ngjitjen në vendin e 45-ë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka shënohet një arritje e madhe në këtë fushë.
Sipas Indeksit, përsa i përket rajonit, për momentin Republika e Maqedonisë së Veriut radhitet në më lartë se Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Mali i Zi”, shkruan më tej Shaqiri.

A.B.