Ministria e Bujqësisë, realizues më i mirë i programit vjetor me 30% për tremujorin e parë

Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonominë e Ujrave ka një realizim të programit mbi 30 përqind për tremujorin e parë. Për nga realizimi i programit kjo ministri rangohet ndër ministritë me efikasitet më të lartë në kuadër të kabinetit qeveritar të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga ky dikaster bëjnë të ditur se me sukses janë duke implementuar një nga projektet më të mëdha në rajonet shqiptare Penda e Sllupçanit, një investim mbi 22 milion euro, projekt i cili është në fazën e parë. Gjithashtu është duke u zhvilluar projekti për sistemin e ujitjes Raven – Reçicë, ndërsa pritet të filloj edhe ndërtimi i sistemit të ujitjes në Tearcë për një kohë shumë të shkurtër. Nga kabineti i ministrit Hoxha gjithashtu potencojnë edhe dy marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara me Republikën e Shqipërisë, me të cilët u rregulluan çështje problematike në fushën e fitosanitarisë, të cilat shqetësonin për vite të tëra prodhuesit nga të dy anët e kufirit. Poashtu, pjesë e marrëveshjes dypalëshe mes Republikën e Shqipërisë është edhe menaxhimi i përbashkët i peshkut në dy liqenet më të mëdha, atë të Ohrit dhe të Prespës.

Nga kabineti i ministrit të bujqësisë kanë potencuar se janë avancuar mbi 20 administrator shqiptarë, të cilët për më shumë se 10 vite nuk ishin avancuar. “Me ardhjen në krye të Hoxhës në këtë ministri gjithashtu për herë të parë shqiptarët kanë marrë pozita kyçe në organizimin administrativ, sikurse edhe pozicioni i shefit të sektorit”, thonë nga kabineti.

A.B.