Sherife Luta, bashkë me vajzën e saj disa javëshe Besianën, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, u bënë fotografia që më së miri i tregonte botës vuajtjet e shqiptarëve që dëboheshin nga Kosova.
Tash 22 vite më vonë, ato u përjetësuan në mozaik, në të ashtuquajturin “Muri i kujtesës” në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99”, ku u përurua edhe parku “Hasan Prishtina”.
Kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, Jahja Lluka theksoi se kriza humanitare që u shkaktua në Kosovë ndikoi që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë në krye me NATO-n, duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja.
“Në këtë mur janë të gravuara thënie e liderëve botërorë për dëbimin e shqiptarëve. Është mozaiku i nënës shqiptare me fëmijën në gji, i cili paraqet që në momentet më të vështira nëna shqiptare e ka ushqyer fëmijën sepse nëna shqiptare është shtylla kryesore e qëndresës sonë, prandaj faleminderit nënë….”, u shpreh Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur./Tv21
A.B.