Kurti uron muajin e Ramazanit: Ta ruajmë shëndetin tonë dhe të më të dashurve tanë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u uron besimtarëve myslimanë muajin e Ramazanit dhe i kujton ata për sfidat e këtij muaji. Sipas Kurtit, dashuria dhe solidariteti në këtë muaj gjatë sfidës globale shëndetësore do të mund të shprehen me kujdes ndaj shëndetit.
“Agjërimi për besimtarin është sfidë fizike dhe psikike. Është shembulli i sundimit të mendjes mbi trupin. Është muaji kur stomaku i zbrazët, nga lindja deri në perëndimin e diellit, shoqërohet me shpirtin e ushqyer nga mirësia e mirësjellja, veprat e fjalët e mira, dashuria e paqja me njëri-tjetrin.
Edhe sivjet Ramazani na gjen në rrethana të rënduara të pandemisë, që vazhdon të marr jetë njerëzish anembanë globit. Dashurinë dhe solidaritetin me tjetrin gjatë këtij muaji të bekuar, do të mund ta shprehim më së miri duke marrë përgjegjësi për ruajtjen e shëndetit tonë dhe të më të dashurve tanë nga virusi i rrezikshëm. Ju bëftë mirë syfyri i parë, e ju qoftë i lehtë agjërimi”, shkruan Kurti. 
A.B.