Gati projektligji për shitjen e tokës bujqësore në pronë të shtetit

Projektligji për shitjen e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, i cili është përgatitur nga ana e ekspertëve përmes projektit të financuar nga FAO, sot u publikua në web faqen e Regjistrit Elektronik të Vetëm Kombëtar të Rregulloreve (ENER). Ai do të jetë në dispozicion për shqyrtim publik në njëzet ditët e ardhshme. Ky Projektligj përcakton kriteret dhe mënyrën e shitjes së tokës bujqësore shtetërore.

“Ju ftojmë që në njëzet ditët e ardhshme, të përfshiheni në mënyrë aktive me sugjerime, komente dhe me vërejtjet tuaja. Ne ju bëjmë thirrje të bashkëpunoni dhe të shkëmbeni propozime konstruktive, që të krijojmë së bashku ligj në mënyrë më transparente, i cili do të përcaktojë procedurën e shitjes së tokës bujqësore shtetërore”, thotë ministri i Bujqësisë Arjanit Hoxha.

Ai më tej flet për përfitimet nga ky ligj.

“Jemi të bindur që me qasje gjithëpërfshirëse, debat të gjerë dhe procedurë transparente do të kontribuojmë në alokimin e të paktën 250 milion eurove por në të njëjtën kohë do të ketë më shumë investime, të cilat përmes komponentit të zhvillimit do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit”, shkruan ministri Hoxha në facebook.

A.B.