Shqipëri / Manastirliu në Kuvend: Objektivi i ri, të arrijmë 1 milion vaksinime në Shqipëri

Paraditen e kësaj të marte ka nisur punën Kuvendi i Shqipërisë, për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Janë mbledhur deputetët aktual, shumica e të cilëve do të ulen për herë të fundit në parlament, ndërsa 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të betohen në shtator.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalët së saj në Kuvend, ka deklaruar se mbi 100 mijë qytetarë i kanë kryer tashmë të dy dozat e vaksinës, teksa tha se do të vijojë furnizimi me vaksinat anticovid në ditët e ardhshme.

“Kemi mbërritur në objektivin tonë të parë prej 500 mijë vaksinimesh të kryera në ditët e para të majit dhe jemi të vendosur të ecim me shpejtësi drejt objektivit të ri, për kryerjen e 1 milion vaksinimeve. Sot janë rreth 100 mijë qytetarë që i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, duke siguruar një mbrojtje më të mirë nga virusi i rrezikshëm”, deklaroi Manastirliu.

Duke folur për kalendarin e mbërritjes së vaksinave, Manastirliu tha: “Kemi mbi 730 mijë doza vaksinash që kanë mbërritur në vend. Dhe përgjatë kësaj jave do të kemi edhe 11 mijë e 700 doza vaksine Pfizer, të cilat priten të vijnë. Sikundër vijojmë të furnizohemi përgjatë muajit maj me 99 mijë doza vaksine nga kontrata jonë me Pfizer, instrumentin e Covax, si dhe me një instrument të ri të mbështetjes së Bashkimit Europian, për alokimin e vaksinave për vendet e Ballkanit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se situata epidemiologjike në vend paraqitet e kontrolluar, por bëri apel për qytetarët, që të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID, shkruan TopChannel.

A.B.