“Sjellja e Metës duhet hetuar”- Balla: ‘Përdhunoi’ Presidencën në mënyrë të turpshme

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend ka thënë se nisma e PS për shkarkimin e Presidentit është e mirëargumentuar në dokumentin që 50 deputetë firmosën.

Balla theksoi se Ilir Meta ka ‘përdhunuar’ institucionin e Presidencës në mënyrën më të turpshme, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk ka nevojë për një president që ditën të jetë Kreu i Shtetit dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie, cilado qoftë ajo.

“Ilir Meta është një person që e ka përdhunuar institucionin e Presidencës në mënyrën më të turpshme. Ne e kemi theksuar edhe në rezolutën e parë për shkarkimin e Presidentit që duam që Shqipëria të ketë një president mbi palët dhe të punojë çdo ditë me të gjitha forcat në dobi të çuarjes para të integrimit. Ne nuk duam një president që ditën të jetë president dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie. Në 2021 Shqipëria meriton në hetim të plotë të sjellje së presidentit para dhe gjatë fushatës, duke nxjerrë në pah të gjitha problematikat që bien në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, tha Balla.

A.B.