Zaev: Ngadalë po hyjmë në arritjen e imunitetit kolektiv

Me 4 mijë e 850 vaksinat e para që kanë arritur nga Bashkimi Evropian sot në Shkup, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka deklaruar se pret që procesi i vaksinimit anti-COVID në vend, të zhvillohet pa ndërprerje.

“Me këto vaksina, bashkë me sasinë tjetër që e kemi në vend, dhe të tjerat që jemi dakorduar, hymë në vaksinimin e gjerë dhe gjithëpërfshirës për popullsinë e vendit. Pres që vaksinimi të rrjedhë pa ndërprerje. Paraqituni në vakcinacija.mk që të fitoni termin për vaksinim. Në këtë mënyrë, me vaksinimin e popullsisë, me vaksina të siguruara dhe me sistem të mirë të vaksinimit, presim që të ndryshojë pasqyra epidemiologjike në kuptimin pozitiv dhe ngadalë të hymë në arritjen e imunitetit kolektiv”, ka deklaruar Zaev./TV21.

Zaev këto komente i bëri nga qendra e vaksinimit A1 Arena, Boris Trajkovski të cilën e vizitoi bashkë me eurokomisarin për zgjerim Oliver Varheyli. Aty erdhën një pjesë e vaksinave të siguruara për vendin nga BE-ja.

A.B.