Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën në Beograd në kuadër të nismës së përbashkët rajonale “Open Balkan”, ka folur për refuzimin e pjesëmarrjes së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës në këtë nismë.

Rama ka thënë se “Open Balkan” është për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë ose edhe nuk e kuptojnë, Balkani i hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës është i të gjithëve, nuk është vetëm i Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Por as për ne që kemi vendosur të ecim më shpejt nuk do të presim që të binden dhe të tjerët”, ka thënë Rama në Beograd, shkruan Telegrafi.

Kryeministri i Shqipërisë më tej shtoi se arsyet e refuzimit të pjesëmarrjes së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës në këtë nismë nuk kanë kuptim.

“Arsyet pse tjerët janë skeptik ose refuzues ndaj Ballkanit të hapur, i kam dëgjuar arsyet e të gjithëve dhe i konsideroj arsye të mos arsyes”, tha Rama.

Rama shtoi se takimi i radhës do të mbahet në Tiranë në dhjetor të këtij viti. /Telegrafi/