October 2, 2022

“Ministri nuk e respekton Ligjin”/Rreth 80 specialistë të Qendrës Klinike nesër dalin në pension?

Primarius doktor Angell Sazdovski është një prej 80 specialistëve për të cilët nesër mund do t’u jetë dita e fundit e punës në Qendrën Klinike, për shkak se deri më tani kontratat e punës nuk u janë vazhduar.

Me ligjin 204A për mbrojtje shëndetësore i cili u miratua gjatë pandemisë për shkak të mungesës së personelit mjekësor, u mundësua vazhdimi i marrëveshjeve të punës dhe në vend se në moshën 64, në pension të dilet në 67 vjeç. Por nga Sindikata e Qendrës Klinike, thonë se Ministria e Shëndetësisë këtë ligj e interpreton gabim dhe në vend që specialistët vetë të zgjedhin nëse do të dalin në pension pas moshës 64 vjeçare, ministria vendos sipas kritereve të panjohura.

“Ne mendojmë se ky ligj mundëson që me automatizëm të vazhdohet stazhi i punës deri në moshën 67 vjeçare. Megjithatë, ata që e kanë sjellë këtë ligj, autoritetet shëndetësore, e interpretojnë në një mënyrë tërësisht të ndryshme. Ky interpretim i tyre lë hapësirë për dyshime për interpretim selektiv të ligjit, përkatësisht zgjedhin në mënyrë selektive se kujt t’i vazhdohet stazhi i punës e kujt t’i shkurtohet kjo e drejtë”, tha prim. d-r Angell Sazdovski, anëtar i Sindikatës së Qendrës Klinike.

Rikujtojmë se TV21 para disa muajve publikoi se brenda 5 vjetëve rreth 800 mjekë kanë ikur për të punuar jashtë vendit. Në klinikat private ka specialistë të cilët edhe në dekadën e shtatë të jetës vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive. Specialist nuk bëhesh brenda natës, për këtë nevojiten shumë vite, thonë sindikalistët.

“Lëshojnë mundësinë që të kenë në dispozicion staf mjekësor me përvojë, sepse me pensionimin e shumë punëtorëve shëndetësorë, duke i përfshirë edhe mjekët, humbet jo vetëm numër, por edhe një përvojë kolektive që merret gjatë viteve. Nuk shoh asnjë arsye që qytetarët ta mos shfrytëzojnë këtë kapital”, theksoi prim. d-r Angell Sazdovski, anëtar i Sindikatës së Qendrës Klinike.

Kërkuam qëndrim edhe nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me atë se mbi çfarë kriteri vendosin se cilit specialist do t’i vazhdohet marrëdhënia pune pas moshën 64-vjeçare dhe pse nuk respektohet Ligji për Mbrojtje Shëndetësore, i cili parashikon që vetë specialistët të vendosin nëse do të vazhdojnë me punë ose jo?

Ja simptomat e pranisë së pllakave në enët e gjakut…
Nga MSH-ja thonë se po i shqyrtojnë kërkesat e specialistëve dhe gjatë ditëve në vijim do t’i njoftojnë në lidhje me vazhdimin e stazhit të punës.

“Nga ana e shërbimeve profesionale do të bëhen analiza në konsultim me Drejtorinë për shëndetësi elektronike për vëllimin e angazhimit të punës të cilin deri tani e kishin mjekët si dhe në bazë të gjendjes momentale me kuadro në institucionin konkret”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga MSH thonë se tendenca është që të lihet hapësirë për avancim të mjekëve më të rinj, gjë të cilën nga Sindikata e shohin si tentativë për punësime partiake.