December 9, 2022

Çfarë loje po luan Erdogani dhe çfarë fitoi ai duke i dalë kundër NATO-s?

Lëvizjet e fundit të Turqisë në NATO kanë vënë në pikëpyetje qëllimet e vërteta të presidentit Erdogan duke u bërë shkak për krijimin e një precedenti përçarës brenda aleancës.

Të gjithë kthyen vëmendjen nga Erdogan muajin e fundit, kur Turqia përdori fuqinë e vetos si anëtare e NATO-s për t’i dalë kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancë.

Kjo ngriti menjëherë pikëpyetje të shumta: Çfarë kërkon Erdogan? A po i bën ai presion NATO-s? Mos është kjo një lojë e dyfishtë e tij dhe së fundmi, aleati i kujt është vërtetë Erdogan – i perëndimit apo i Rusisë?

Përgjigja e kësaj pyetje duket se po bëhet gjithnjë e më e turbullt.
Nga njëra anë, Erdogan i kthen shpinën Rusisë duke i shitur dronët e saj ushtarakë Ukrainës. Ndërsa nga ana tjetër, ai vazhdon takimet dhe komunikimet telefonike me Putin, duke planifikuar së fundmi edhe një takim tre-palësh që pritet të mbahet më 19 korrik në Teheran mes liderëve të Rusisë, Turqisë dhe Iranit.

Paqëndrueshmëria e Erdogan dhe lëvizjet e tij të fundit nuk mund të mos ndikojnë negativisht mbi sigurinë e NATO-s.

Aktualisht, aleanca euroatlantike përbëhet nga 30 shtete anëtare dhe vendimet e saj merren në bazë të konsensusit – që do të thotë se një shtet mund të përdorë fuqinë e veto-s për të paralizuar një vendim të propozuar.

Shumë ekspertë e kanë kritikuar prej kohësh këtë sistem i cili nuk ndalon asnjë nga shtetet anëtare të mos e përdorin fuqinë e vetos në formë presioni për të marrë në këmbim përfitime nga më të ndryshmet.

Dhe këto përfitime për Turqinë u bënë të dukshme pas takimit të Erdogan me presidentit amerikan Joe Biden në Madrid javën e shkuar, pas të cilit presidenti turk pranoi të hiqte veton e tij kundër anëtarësimit të vendeve nordike, në këmbim të garancisë së SHBA-së se do t’i shiste ushtrisë turke avionë të avancuar F-16 , së bashku me pajisjen e saj me paketa të tjera modernizuese.

Në të njëjtën kohë, Erdogan mori në këmbim të heqjes së vetos, edhe zotimin e vendeve nordike se do të hiqnin dorë nga mbështetja e tyre ndaj grupeve kundërshtare të Erdogan si Gulenistët, PKK-të kurdë dhe grupet YPG siriane.

Pra, në një farë mënyre NATO iu bind kërcënimeve të Erdogan, dhe Biden e shpërbleu heqjen e vetos nga presidenti turk duke modernizuar ushtrinë e tij dhe duke i dobësuar kundërshtarët.

Kjo mund të duket si një manovër politike e padëmshme që do të vazhdojë të përsëritet sa të ketë njerëz mbi tokë, ama për shumë kritikë ajo do të krijojë një precedent negativ brenda për brenda aleancës, sidomos në situatën aktuale të luftës në Ukrainë.

Çfarë mund t’i ndalojë liderët e tjerë të shteteve më të vogla të NATO-s të përdorin të njëjtën fuqi për të arritur përfitimet e tyre personale?

Sidomos në një kohë kur shumë prej tyre vazhdojnë të ndikohen fuqishëm nga influencat ruse.

Dhe mbi të gjitha, sa mund ta vonojë përdorimi i një veto-je në të ardhmen, përgjigjen apo reagimin e NATO-s ndaj situatave emergjente?

Shtetet anëtare të NATO-s mund ta shohin aleancën si një sistem mbrojtës të përbashkët, por në situatën e brishtë gjeopolitike në të cilën ndodhemi aktualisht, shqetësimet se disa prej këtyre shteteve mund ta përdorin autoritetin e tyre si vende anëtare, për të arritur përfitime personale, nuk bën tjetër vetëm sa e dobëson aleancën duke e vendosur para sfidave që kërkojnë detyrimisht të adresohen.