December 1, 2022

​Kaos në aeroportet gjermane: Valixhe të humbura, fluturime të anuluara

Në mesin e sezonit të pushimeve verore, bagazhet që nuk u janë dorëzuar pronarëve po grumbullohen në aeroportet gjermane për shkak të mungesës së stafit, raportojnë agjencitë gjermane të lajmeve. Vetëm në aeroportin e Mynihut, sipas dpa, janë depozituar disa mijëra bagazhe që kanë humbur rrugës për tek pronarët e tyre.

Në aeroportin më të madh gjerman në Frankfurt am Main, numri i valixheve që nuk iu dorëzuan pronarëve të tyre arriti në disa mijëra. Si një nga arsyet, përveç mungesës së stafit, administrata e aeroportit të Frankfurtit veçon numrin e madh të fluturimeve me vonesë. Lufthansa, e cila shërben si bazë në Aeroportin e Frankfurtit, ka anuluar fluturime shtesë deri në zgjidhjen e situatës me valixhet e grumbulluara.

Aeroporti i tretë më i madh i vendit, ai në Dusseldorf, nuk mund të vlerësojë numrin e valixheve të humbura të gjetura në magazinat e këtij aeroporti të Gjermanisë Perëndimore, por i referohet kompanive ajrore, të cilat mbajnë statistika për bagazhet e humbura. Situata është e ngjashme me aeroportet më të vogla si ato në Hamburg, Hanover apo Shtutgart, të cilët në periudhën aktuale në fillim të pushimeve verore në shumë shtete federale janë në kufi të kapacitetit.

Duke pritur me orë të tëra. Ndërkohë, kritikat për situatën kaotike në aeroportet gjermane, ku duhet të presësh me orë të tëra për të dorëzuar bagazhet, si dhe kontrollet e sigurisë, nga linjat ajrore dhe autoritetet e aeroportit, i drejtoheshin pjesërisht qeverisë gjermane. “Situata në aeroportet gjermane ka qenë prej kohësh e parashikueshme. Pse qeverisë gjermane i duhen pesë javë për të nxjerrë leje speciale për importin e punëtorëve nga Turqia?”, tha zëdhënësja e opozitës, Unioni Kristian Demokrat CDU/CSU, Anja Karlicek.

Ajo thotë se ministritë përkatëse kanë injoruar paralajmërimet nga industria e udhëtimeve dhe sindikatat e linjave ajrore për javë të tëra.