January 27, 2023

“Burger King” u vihet pas “Burek Kingut” të dy shqiptarëve në Zvicër

Dy shqiptarëve në Zvicër që kanë një burektore me emrin “Burek King” u është vënë pas gjiganti ndërkombëtar “Burger King”, shkruan Blick.

Ata janë Bekim Limani (35) dhe Fatmir Mehmedi (37), të cilët kanë mbi dy vjet që drejtojnë një “fast-food” të vogël në Zvicër.

Më 6 korrik ata morën një letër nga “Burger King Co”. Letra nga avokatët e “Burger King”, të cilën e posedon gazeta zvicerane “Blick”, thotë: “’Burek King’ po merr pothuajse plotësisht markën e vjetër ‘Burger King’”.

“Burger King” ka akuzuar se po i merren klientët duke e përvetësuar kështu markën e saj dhe ka kërkuar që pronarët e bizneseve të nënshkruajnë një marrëveshje.

Sipas kësaj marrëveshje, Limani dhe Mehmedi, do të dakordohen që të mos ofrojnë kurrë sandviçë apo hamburgerë në linjën e tyre, si dhe ta personalizojnë logon e tyre, duke e hequr BK nga kurora në logo.

“Kostoja e një rregullimi të tillë është shumë e lartë”, tha Limani.

Për një kohë të gjatë Limani dhe Mehmedi nuk e dinin çfarë të bënin.

“Kishte disa netë ku biseduam”, thotë Limani.

Më në fund, ata punësuan një avokat dhe kërkuan këshilla.

Limani dhe Mehmedi vendosën të mos nënshkruajnë atë letër të ofruar nga avokati i “Burger King” dhe humbën afatin.

Sepse, Limani e Mehmedi nuk shohin arsye pse duhet ndryshuar logon.

“’Burger King’ ka një hamburger si logo e nuk ka kurorë”, thonë ata.

Tani ata frikësohen se do të përballen me proces gjyqësor me vite. Dyshja nuk do të mund të përballonte një gjë të tillë.

“’Burger King’ është një kundërshtar shumë i fuqishëm për ne”, thotë Fatmir Mehmedi.

Dy shqiptarët janë të befasuar që “Burger King” po merret me ta. “Burger King” nuk pranoi t’i përgjigjej “Blickut” për rastin.

Afro 12 persona punojnë në dy degët e “Burek Kingut” dhe një degë e tretë ishte planifikuar të hapej në fund të dhjetorit. “Burek King” shet byrek.

Nëse “Burger King” nuk heq dorë nga padia, atëherë situata duket e zymtë për “Burek Kingun”.

“Kemi frikë për biznesin tonë, me këtë sigurojmë jetesën”, thotë Limani.