January 27, 2023

Një mjek në Gjermani: Nuk kam parë kurrë më shumë njerëz të sëmurë

Numri i njerëzve në Gjermani, që janë duke vuajtur nga ndonjë lloj i infeksionit apo sëmundjes, ka arritur ne dimensione historike, ka thënë presidenti i Shoqatës gjermane për Kujdesin Intensiv dhe Emergjencat, Christian Karagiannidis.

“Shkalla e sëmundjeve në gjithë popullsinë është jashtëzakonisht e lartë. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, ka thënë ai për gazetën, Rheinische Post.

Në shumë rajone, pothuajse të gjithë shtretërit për kujdes intensiv janë të zënë, ka thënë ai, duke përmendur që koronavirusi nuk është më problemi kryesor.

“Momentalisht jemi duke luftuar shumë sëmundje, gripin sezonal, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, plus emergjencat e zakonshme”, ka thënë ai.

Përveç numrit të lartë të pacientëve, spitalet e Gjermanisë janë duke u përballur edhe me mungesë të ilaçeve.