January 27, 2023

Petkoviq: Kurti po i kërcënon serbët me likuidim, të reagojë bashkësia ndërkombëtare

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, tha sot se “kërcënimet e frikshme dhe thirrjet për likuidim dërguar serbëve në barrikada”, sipas tij, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se i njëjti “duket se po e humb durimin përballë përgjigjes demokratike dhe paqësore të serbëve”.

“Kur e dimë se për çfarë kishte qenë i gatshëm të bënte në të kaluarën për të provokuar një përshkallëzim të situatës në terren, ne i marrim shumë seriozisht kërcënimet e tilla”, theksoi Petkoviqi.

Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar “të reagojë urgjentisht” ndaj deklaratave të Kurtit, të cilat ai i konsideroi si “ogurzeza”, shkruan Tanjug, transmeton Klankosova.tv.

Kryeministri Albin Kurti, në një deklaratë për “The Guardian”, tha se “shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë mundësitë e viktimave”.

“Prandaj ne duam të jemi sa më të kujdesshëm që të mundemi për t’u siguruar se nuk do të ketë destabilizim, dhe të vendosen paqja relative dhe siguria. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”. /Klankosova.tv/