December 14, 2019

‘Zgjedhjet presidenciale’, nëse nuk arrihet cenzusi mund të ndryshojë Kushtetuta

‘Zgjedhjet presidenciale’, nëse nuk arrihet cenzusi mund të ndryshojë Kushtetuta

Kryeministri i vendit Zoran Zaev thotë se ka zgjidhje edhe nëse nuk arrihet cenzusi i daljes së votuesve në zgjedhjet presidenciale. Ai mbrëmë në Click Plus tha se përveç përsëritjes së zgjedhjeve mund të hiqet cenzusi ose presidenti të zgjidhet në kuvend.

Ai për këto çështje tashmë është konsultuar me Ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska.

“Unë besoj që mundet të arrihet 40% i cenzusit dhe gjithsesi nuk mendoj për bojkotin sepse, Renata Deskoska si juriste e parë në qeverinë time më thotë: Ke përsëritjen e zgjedhjeve, ke mundësi me ndërruar kushtetutën dhe në të ke dy mundësi.

Një me e largu cenzusin, një me e zgjedh presidentin në kuvend. Dhe çka të mendoj tani. Nuk mund të mendoj se si do të ketë cenzus. Do të ketë cenzus, do ta arrijmë cenzusin. Pse, sepse besoj tek qytetarët, ata nuk do ta lënë shtetin kështu në ujë. Ajo do të jetë krizë e re politike”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Lideri i opozitës Hristijan Mickoski apelon që të dilet në votime dhe të mos bojkotohen zgjedhjet. Sipas tij këto zgjedhje duhet të fitohen me lista votuese.

“Dilni në ditën e votimeve bashkë të luftojmë ndaj të keqes. Votni për veten tuaj dhe familjen tuaj, votni për Maqedoninë”, u shpreh kryetari I VMRO-DPNE-së, Hristijan Mickoski.

Analisti Naser Ziberi rikujton se në 2009-tën Maqedonia e ka ulur pragun zgjedhor nga 50 në 40 përqind. Nëse pragu ulet sërish sipas tij do ta deligjitimonte kandidatin që do të zgjidhej presidnet. Nga ana tjetër, zgjedhja e Presidnetit në Kuvend, sipas Ziberit do të ishte edhe më e dëmshëme sepse posti i kryetarit të shtetit do të shndërrohej në monedhë për pazarllëqe mes partive.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte që Maqedonia të ndryshojë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Të mundësojë votimin elektronik dhe pastrimin e listës së votuesve, dhe të futë institucionin e nënkryetarit të shtetit, i cili do të ishte nga komunitetet joshumicë, që nënkupton se do të ishte nga radhët e shqiptarëve dhe më këtë do ta stimulonte dhe motivonte votuesin shqiptar për dalje më masovike; sepse shqiptarët abstinencën në zgjedhje në mënyrë permanente e kanë shumë më të lartë se sa votuesi maqeodnas”, potencoi analisti, Naser Ziber.

Ndryshe Kushtetuta parasheh që Presidenti i shtetit të zgjedhet në rrethin e parë të votimit.
Njëri prej tre kandidatëve duhet ta sigurojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e mbylli Listën Zgjedhore me 1.808.131 votues, që do të thotë se për ta zgjedhur Presidentin në rrethin e parë të votimit, një kandidat duhet të fitojë më shumë se 904.066 vota.

Nga KSHZ thonë se në qoftë se kjo nuk ndodh, atëherë do të organizohet rrethi i dytë në të cilin do të marrin pjesë dy kandidatët të cilët në rrethin e parë kanë pasur më shumë vota. Në rrethin e dytë do të zgjedhjet kandidati i cili ka siguruar shumicën e votave të votuesve që kanë dalë në votim, por me kusht të votojnë 40% e votuesve të regjistruar, që do të thotë më shumë se 723.253 votues.