Deputeti i BDI-së, ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, akuzoi Qeverinë dhe kryeministrin Mickoski për presion politik, pasi ndaj tij u ngritur kallëzim penal nga Policia Financiare. Në një konferencë për media, Bexheti tha se kallëzimi është i motivuar politikisht dhe se urdhri, sipas tij, vjen direkt nga kryeministri, me qëllim rritjen e shumicës në Kuvend. Ai theksoi se të gjitha procedurat në komunë janë kryer në përputhje me ligjin, pa asnjë dëm financiar dhe pa përfitime personale. Bexheti deklaroi se nuk do t’i nënshtrohet presionit dhe se ky, sipas tij, është sulm ndaj dinjitetit politik të shqiptarëve. Kryeministri Mickoski u pyet mbi këtë, por tha se nuk do të komentojë.
“Kjo është vetëm pjesë e një persekutimi të organizuar, të dirigjuar nga qeveria dhe atë drejtpërdrejt nga Kryeministri Mickoski, me qëllim të qartë për të ushtruar presion mbi mua si deputet, me qëllim rritjen e shumicës në parlament. Sot u them publikisht atyre se as unë dhe as ndonjë deputet tjetër i BDI-së nuk ka frikë nga këto konstruksione dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit nga qeveria! Kallëzimi penal i ngritur nga Policia Financiare është tërësisht i pabazuar, dhe për këtë arsye ne do të ngremë procedura përkatëse kundër Drejtorit Slobodan Ivanovski, Zëvendës Drejtorit Ilber Imeri dhe dy personave të tjerë që së bashku si një bandë e organizuar po implemntojnë këtë orkestrim të persekutimit politik”, tha Bexheti.

