Gjykata Supreme ka rrëzuar tarifat globale të presidentit amerikan Donald Trump të premten, duke ia hedhur poshtë një nga çështjet kyçe në agjendën e tij ekonomike.

Kjo gjykatë ka vendosur që ligji emergjent për fuqitë ekonomike nuk ia lejon presidentit të vendosë tarifa të tilla.

Trumpi fillimisht pati prezantuar tarifa kundër mallrave nga Kina, Meksika e Kanadaja. Kjo pati ndodhur në shkurt të vitit të shkuar. E më pas në prill, ai pati shkuar në shkallë prej 10 deri në 50 për qind ndaj mallrave të pothuajse çdo shteti të botës.

Edhe Kosova ishte një nga shtetet e prekura me tarifë prej 10 për qind. E më 1 gusht, Kosova ia hoqi tarifën 10 për qind ndaj mallrave amerikane.

Sipas Trumpit, deficiti tregtar amerikan, ku SHBA-ja importon më shumë se që eksporton – shpërfaq “kërcënim të jashtëzakonshëm”.

Këtu përfshihet edhe tarifa reciproke që Trumpi ua pati vendosur shteteve që kishin tarifa ndaj produkteve amerikane.

Nga vendimi nuk janë prekur tarifat për industrinë e çelikut, aluminit, drurit dhe automobilave, që janë zbatuar në kuadër të ligjit për zgjerim të tregtisë, dhe si arsye kanë përmendur shqetësimet për sigurinë kombëtare.

Pas vendimit të kësaj gjykate, tregjet ndërkombëtare të aksioneve menjëherë kanë përjetuar ngritje.