
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, po vepron vetëm në bazë të afateve dhe procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor për caktimin e datës për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë. Prandaj, data e zgjedhjeve do të shpallet brenda afatit të lartpërmendur ligjor dhe publiku do të informohet në ditët në vijim, njofton kabineti i kryetarit të Kuvendit, transmeton Portalb.mk.
“Procesi i shpalljes së zgjedhjeve nuk udhëhiqet nga preferencat ose propozimet individuale, por nga dy parime themelore – respektimi i detyrueshëm i afateve ligjore të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë dispozitat e reja të Nenit 132-a, të miratuara në mars 2024; dhe vlerësimi dhe gatishmëria e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, si institucioni kompetent për organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor”, tha zyra e Gashit.
Në këtë kontekst, shtojnë ata, kryetari i Kuvendit tashmë ka zhvilluar dy takime pune me përfaqësues të KSHZ-së, të cilat shqyrtuan të gjitha aspektet ligjore dhe operative që lidhen me përsëritjen e procesit në këto komuna.
Deputeti nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, Halil Snopce, dje i bëri thirrje Gashit të demonstrojë pavarësi institucionale dhe, brenda afatit ligjor, para Vitit të Ri, të kërkojë zgjedhje të përsëritura në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Qendër Zhupë, në mënyrë që ato të përfundojnë deri në fund të dhjetorit dhe t’u mundësohet emigrantëve të votojnë.
Deputeti shprehu dyshime se vonesa në publikimin e rezultateve të KSHZ-së ishte e qëllimshme dhe e koordinuar me Qeverinë, me qëllim, siç theksoi ai, të shmanget periudha kur emigrantët janë në vend.
Sipas afateve ligjore zgjedhjet pritet të mbahen më së voni në muajin janar 2026.
Kryeministri Hristijan Mickoski javën e kaluar deklaroi se pret që gjatë kësaj jave KSHZ-ja zyrtarisht t’i përfundojë zgjedhjet dhe ta informojë Qeverinë, që më pas ata të vazhdojnë me procedurat tjera.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 mbajt më 19 tetor ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.

