Diabeti vazhdon të jetë një nga sëmundjet kronike me rritjen më të shpejtë të shekullit XXI, tregojnë të dhënat nga edicioni i njëmbëdhjetë i IDF Diabetes Atlas (2025). Sipas raportit, në vitin 2024 rreth 589 milionë të rritur në mbarë botën jetonin me diabet – ose 11.1% e popullsisë globale të grupmoshës 20–79 vjeç. Në Maqedoni, me diabet jetojnë rreth 141 mijë persona (8.9% e të rriturve), që do të thotë se pothuajse çdo i njëmbëdhjeti i kësaj grupmoshe ka sëmundjen.

Atlasi tregon se rreth 43% e të rriturve me diabet në botë nuk janë të diagnostikuar. Kjo nënkupton se rreth 252 milionë njerëz jetojnë me diabet pa e ditur gjendjen e tyre, duke humbur mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe parandalim të komplikimeve. Shtesë kësaj, 635 milionë njerëz kanë tolerancë të dëmtuar ndaj glukozës, ndërsa 488 milionë kanë glikemi të lartë esëll – gjendje që rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe sëmundje kardiovaskulare. Rreth një në pesë gra shtatzëna preken nga hiperglicemia gjatë shtatzënisë.

Diabeti është edhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme. Në vitin 2024, ai ishte përgjegjës për mbi 3.4 milionë vdekje mes të rriturve 20–79 vjeç – rreth 9.3% e të gjitha vdekjeve globale.

Sipas Atlasit, deri në vitin 2050 numri global i personave me diabet mund të arrijë 853 milionë, ose 13% të popullsisë së rritur. Pjesa dërrmuese e rasteve të reja do të paraqitet në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, të cilat kanë sisteme shëndetësore më pak të përgatitura për sëmundjet kronike.

IDF Diabetes Atlas – një platformë globale me të dhëna për 215 vende
Atlasi global i diabetit i Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF) ofron të dhëna të krahasueshme për 215 shtete përmes një platforme të re online. Edicioni i 11-të thekson prioritetet kryesore: zbulimin e hershëm, parandalimin, forcimin e sistemeve shëndetësore dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël.

Dita Botërore e Diabetit shënohet më 14 nëntor çdo vit dhe është fushata më e madhe globale për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje kronike. Ajo u iniciua nga IDF dhe OBSH, dhe në vitin 2006 u miratua zyrtarisht nga OKB. Dita shënohet në nder të ditëlindjes së Sir Frederik Banting, njërit nga zbuluesit e insulinës. Simboli i fushatës është rrethi blu, që paraqet unitetin në luftën kundër diabetit. Në Maqedoni organizohen aktivitete edukative, matje falas të sheqerit në gjak dhe tribuna publike për mbështetjen e pacientëve.

The post Maqedonia me gati 141 mijë raste diabeti, një e treta të padiagnostikuar appeared first on Alsat.