Gazetare: Fatlume Dervishi
Ministri për çështje evropiane, njëkohësisht koordinator për zbatimit e Agjendës së reformave, Orhan Murtezani pranon se shqetësimet kryesore sa i takon reformave dhe eurointegrimeve vazhdon të jetë në pjesën e sundimit të ligjit. Murtezani, në intervistë për Alsat, thotë se ngecja e shënuar në disa fusha sipas raportit të Komisionit Evropian i adresohet riorganizimit të institucioneve pas formimit të qeverisë si dhe zhvendosjes së fokusit te zgjedhjet lokale. Murtezani thotë se pret rezultate të dukshme dhe të shpejta gjatë periudhës që vjen, veçanërisht në raformat në drejtësi.
“Edhe sikur ne t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese, në qoftë se me hapa shumë të shpejtë nuk fillojmë ta ndryshojmë atë realitet i cili nënkupton sundimin e ligjit dhe së drejtës, ne do të kemi probleme shumë më të mëdha se sa kërkesa për ndryshime kushtetuese”, tha Orhan Murtezani, Ministër për Çështje Evropiane.
Pyetje: Do të thoja që ky qëndrim është pak në kundërshtim me deklarimet e kryeministrit sepse sipas tij pengesa e vetme ndoshta janë ndryshimet kushtetuese dhe në të gjitha fushat e tjera kemi përparim shumë të madh. Këtë nuk e thotë raporti i Komisionit Evropian. Nuk kemi aspak avancimin e sundimit e ligjit dhe nuk kemi aspak avancim në luftën kundër korrupsionit.
“Edhe te Agjenda e reformave, reformat që shkojnë më ngadalë janë reformat që i takojnë sundimit të ligjit”, shtoi Orhan Murtezani, Ministër për Çështje Evropiane.
Në grupin e rezultateve që pret së shpejti ai përfshin pakon e ligjeve për Këshillin e prokurorëve, Këshillin gjyqësor dhe ata për shërbimet administrative në këtë sektorë.
“Besoj që deri në fund të këtij viti të njëjtat do t’i kalojmë në qeveri. Jemi dakorduar unanimisht, për arsye që të mos e bëjmë punën dy herë, që ligjet para se të futen në procedurë parlamentare, t’i dërgojmë në Komisionin Evropian për kontroll final në qoftë se janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet dhe pasi të kemi prej Komisionit Evropian një dritë jeshile, t’i dërgojmë në parlament për miratim. Kjo mund të shkaktojë edhe një vonesë shtesë por në qoftë se nuk e zëmë afatin e raportimit të dhjetorit, do të jemi të sigurt që në afatin e raportimit të qershorit, jo vetëm që i kemi raportuar si të realizuara këto hapa, por janë konsoliduar dhe do të jemi të sigurt që mjetet për ato reforma do t’i fitojmë”, shtoi ai Orhan Murtezani, Ministër për Çështje Evropiane.
Murtezani thotë se nuk pret realizimin e të gjitha 136 pikave nga agjenda e reformave. Sipas tij, kjo është e paarritshme për asnjërin nga shtetet kandidate. Megjithatë pret zbatimin e përqindjes më të madhe të agjendës./Alsat.mk
The post Murtezani: Pa reforma në drejtësi, s’ka avancim për integrim appeared first on Alsat.

