Ajshe Avdiji nga Shkupi, pasion i ka veturat.
Përskaj gjitha obligimeve të tjera, pasi është nënë e dy fëmijëve, dashurinë e saj për makinat dhe “drifting”, nuk e lë kurrë anash.
Pa përtesë doli në terren për të na treguar se si bëhet drift.
Për TV21 ajo rrëfen se paragjykohet kur e shohin si e vetmja grua nëpër “tuning shoë”, por përkrahja e bashkëshortit dhe familjes e motivojnë që të mos heq dorë.
“Dëshira ka qenë prej e vogël, gjithmonë i kam dashur veturat. Ideja ka lindur pas gjithë sakrificave në jetë, shkollimin, fakultetin, punën për shkak gjendjes financiare, babës nuk kam mundur t’i kërkoj diçka më shumë deri sa më ka shkolluar, pasi u martova bashkë me bashkëshortin kemi qëlluar dy të njëjtë që i pëlqejmë veturat sportive”, tha Ajshe Avdiji.
Edhe kur makina ka ndonjë defekt, ajo e rregullon vetë. Deri më sot, thotë se nuk ka shkaktuar asnjë aksident.
“Deri sot aksidente nuk kam bërë shyqyr Zotit, i shtrenjtë është ky sport shumë. // Deri sa kam marrë pjesë me veturën amerikane në shou tuningut, nuk ka pasur shumë harxhime që çdo vit ndoshta kërkohet një ndryshim për modifikim, por nuk i ka shumë shtrenjta por edhe nëse i ka të shtrenjta për një vit unë mundem të ndaj të holla për ta bërë një ndryshim në veturën që e kam. Ndërsa në veturën e driftit djegia e gomave ose nëse udhëtoj për Shqipëri dhe Kosovë ndoshta janë harxhimet edhe më të mëdha”, theksoi Ajshe Avdiji.
Me këtë veturë të modifikuar, Ajshja tha se i ka marrë mbi 20 çmime.

