Partia Demokratike Evropiane pjesë e Frontit Europian ka reaguar për arestimet e ish ministrave të ekonomisë duke cilësuar veprimet e institucioneve hetuese si tendencioze.
Më poshtë ju sjellim tekstin e plotë të Komunikatës:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Me shqetësim të thellë ndjekim zhvillimet e fundit lidhur me arrestimet e ish-ministrave shqiptar të Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, pas tragjedisë së rëndë në Koçan ku humbën jetën 61 qytetarë.

Kjo ngjarje ka tronditur të gjithë opinionin publik dhe kërkon një hetim të pavarur, të drejtë dhe gjithëpërfshirës, që të çojë para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë – dhe jo të shëndrohet në “gjuajtje shtrugash” për të fshehur të vërtetën.

Fatkeqësisht, ajo që po vërehet në mënyrë të përsëritur është përpjekja për të krijuar perceptime selektive dhe tendencioze, duke i bartur përgjegjësitë në drejtim të figurave politike shqiptare, në vend që drejtësia të fokusohet në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe zinxhirit të vendimmarrjes që çoi në këtë tragjedi.

Kemi dyshime serioze në pavarësinë dhe integritetin e organeve hetimore, sidomos kur veprimet e tyre ndodhin nën trysninë e agjendave politike nga partutë e pushtetit. Drejtësia nuk mund të bëhet instrument i frikësimit selektiv apo i përjashtimit të grupeve të caktuara nga pushteti.

Kërkojmë që institucionet e drejtësisë të veprojnë me transparencë, barazi dhe përgjegjësi, në mënyrë që qytetarët të rikthejnë besimin e humbur në sistemin gjyqësor dhe të sigurohemi se tragjeditë si ajo e Koçanit nuk do të mbeten as të pahetuara, as të përdorura politikisht.

Në këtë moment të rëndë për vendin, drejtësia duhet të jetë udhërrëfyes, jo një teatër selektiv i shantazhit.

Drejtësi për viktimat e Koçanit. Jo propagandë partiake mbi tragjeditë e tilla.

13.04.2025
Shkup