Teksa ka shpërthyer festa në kampin republikan, Donald Trump ka mbërritur në West Palm Beach të Florida-s bashkë me Melanie. Ai është ngjitur në podium, si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
“Faleminderit shumë të gjithëve!”-ishte fjalia e tij e parë e pasuar me ovacione të shumta.
“Dua t’ju falënderoj të gjithëve, është diçka e madhe. Jemi mijëra miq në këtë fitore, është diçka që nuk e ka parë askush më parë. Është lëvizja politike më e mrekullueshme e të gjitha kohërave. Do të ndihmojmë vendin tonë, që ka nevojë për ndihmë. Do rregullojmë kufijtë tanë, do rregullojmë çdo gjë. E bëmë historinë për një arsye dhe ajo ka të bëjë me faktin se askush s’duhet të mendojë se ka gjëra të pamundura. Është fitore e madhe politike! Dua t’i falënderoj të gjithë shtetasit e Shteteve të Bashkuara për besimin e madh. Do punoj për ju, familjet tuaja, me çdo frymëmarrje të trupit tim. Do ndërtoj një të ardhme që meritoni ju në Shtetet e Bashkuara. Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe! E dua shumë Karolinën e Veriut, Wisconsin…Kemi fituar në shumë shtete të tjera, rezultate të jashtëzakonshme për ne.“
Pasi deklaroi fitoren e postit presidencial, Donald Trump iu referua Elon Musk si ylli i ri i Partisë Republikane. “Ai është një njeri i mrekullueshëm”, u shpreh Trump.

