Shkruan: Liridona Beqiri

Dinamika gjeopolitike në zhvillim në Azinë Lindore dhe Euroazi ka parë diskutime në rritje për bashkëpunimin strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut. Duke pasur parasysh karakteristikat unike të dy vendeve dhe veçoritë historike, një bashkëpunim strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut mund të tingëllojë si një komplot për një thriller spiun gjeopolitik, por motivimet dhe interesat pas këtij partneriteti gjithëpërfshirës strategjik nuk janë aspak një mister.
Sdomend që të dyja vendet do të përfitojnë nga lidhjet e zgjeruara politike, ushtarake dhe ekonomike, rreziqet e përfshira – veçanërisht në lidhje me sanksionet globale dhe një bashkëpunim i tillë mund të ketë dhe pasoja të gjera për sigurinë globale
Për Rusinë, forcimi i lidhjeve me Korenë e Veriut ofron disa përparësi, aq më shumë që Rusia është përballur me izolim dhe sanksione në rritje nga Perëndimi, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës. Ndërtimi i aleancave më të forta me Korenë e Veriut, si dhe me Kinën, i ofron Rusisë një mundësi për të kundërbalancuar ndikimin e SHBA-së dhe Perëndimit në rajonin e Azisë. Forcimi i lidhjeve me Korenë e Veriut mund t’i japë Rusisë një rol më të spikatur në sigurinë rajonale dhe çështjet diplomatike, si rrjedhojë e ambicjeve që Rusia kërkon prej kohësh të zgjerojë ndikimin e saj mbi Azinë Verilindore, një zonë e dominuar historikisht nga SHBA, Japonia dhe Kina.
Jashtë aspektit të strategjive dominuese, në segmentin ekonomik burimet natyrore të Koresë së Veriut, veçanërisht mineralet, mund t’i ofrojnë Rusisë lëndë të para të vlefshme dhe jo vetëm, Koreja e Veriut ka një grup të konsiderueshëm të fuqisë punëtore të lirë dhe Rusia mund të përfitojë nga përdorimi i kësaj pune për projektet e veta ekonomike.
Nga ana tjetër, për Korenë e Veriut, motivimet e saj për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë janë gjithashtu të rrënjosura në dëshirën e saj për të siguruar pozicionin e saj rajonal dhe ndërkombëtar, duke pasur parasysh sanksionet ndërkombëtare ndaj saj dhe izolim diplomatik për shkak të programit të saj bërthamor dhe qeverisë autoritare, dhe ky forcim i bashkëpunimit do ishte shpëtim i rëndësishëm diplomatik. Përfitimet nga teknologjitë e avancuara ushtarake ruse, mund t’i sigurojë Koresë së Veriut akses në pajisje të sofistikuara ushtarake, trajnime dhe shkëmbime të inteligjencës. Dominimi në rritje i Pekinit në politikën rajonale mund të shqetësojë Phenianin, e në këtë sens për të shmangur varësinë e tepërt nga Kina dhe për të siguruar një qasje diplomatike më të ekuilibruar, Rusia mund të veprojë si një kundërpeshë ndaj ndikimit në rritje të Kinës mbi Korenë e Veriut.
Por përkrah benefiteve të këtij bashkëpunimi , padyshim që dhe sanksionet perëndimore mbeten sfiduese. Çdo zyrtarizim i një aleance strategjike mund të çojë në rritjen e sanksioneve ndaj të dy vendeve, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që synojnë aftësinë e tyre për të tregtuar lirisht dhe për të hyrë në tregjet financiare globale. Përshkallëzimi i stabilitetit rajonal i cili rrit tensionet me Korenë e Jugut, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesa më destabilizuese e këtj bashkëpunimi strategjik. Duke u bashkuar në një kuzhinë të përbashkët për të krijuar “petën bërthamore” dhe përhapjen e saj, ku Korea e Veriut përfiton nga rasti për të tërhequr investime strategjike për avancime nukleare dhe teknologjike, rriten shqetësimet globale dhe cdo mbështetje për programin bërthamor të Koresë së Veriut do të ishte një dënim i rëndësishëm ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, përfshirë rritjen e sanksioneve dhe përpjekjet për të izoluar të dy vendet ndërkombëtarisht.
Ky rrjet gjithnjë e më kompleks interesash strategjike dhe rivaliteti, është një sinjal i rëndësishëm për vendet e Indo-Pacifikut tek të cilët ekziston urrejtja shekullore mes popujve të një race të njejtë por me vizion të kundërt. Sidoqoftë, është kjo Aleanca më e çuditshme e shekullit e cila do mbetet potencialisht shqetësuese për pjesën tjetër të botës, me axhenda misterioze dhe strategji diplomatike të dyshimta, ku bashkëpunimi dhe konflikti turbullohen së bashku.